Edukim & Ndërgjegjësim

Paketat e udhëtimit

 

Paketa e udhëtimit është marrëveshja e lidhur ndërmjet konsumatorit dhe organanizatorit dhe/ose shitësit, në të cilën konsumatori detyrohet të paguajë një çmim të caktuar gjithëpërfshirës përkundrejt paketës turistike të ofruar nga pala organizuese.

Paketa turistike konsiston në shërbimin e ofruar ku sigurohet një kombinim të parapërgatitur i jo më pak se dy nga llojet e mëposhtme të shërbimeve:

  • transporti;
  • strehimi;
  • shërbime të tjera turistike, që nuk lidhen drejtpërsëdrejti me transportin ose strehimin dhe që përbëjnë pjesë të konsiderueshme të paketës;

si dhe të mbulojnë një periudhë kohore prej jo më pak se 24 orë ose që përfshijnë strehimin, të paktën për një natë.

Termi paketë përfshin edhe pushimet që organizon një agjent udhëtimi sipas kërkesave dhe specifikimeve të një konsumatori apo një grupi konsumatorësh. Po ashtu nocioni ‘kombinim i parapërgatitur’ përfshin kombinimet e shërbimeve turistike në momentin e lidhjes së kontratës ndërmjet agjencisë së udhëtimit dhe konsumatorit.

Në këto raste, sipas legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit, organizatori (operatori apo agjencia e udhëtimit) është përgjegjës që gjithçka të shkojë sipas marrëveshjes së rënë dakord. Në rast se keni pakënaqësi me shërbime të caktuara të paketës së udhëtimit, duhet të kontaktoni organizatorin dhe të insistoni që shqetësimet tuaja të merren parasysh dhe të zgjidhen.

Kujdes! Në rast se ju rezervoni vetë një biletë udhëtimi nga një shoqëri fluturimi dhe më pas rezervoni strehimin në një agjenci udhëtimi apo ëebsite, atehërë në këtë rast nuk ofrohet e njëjta mbrojtje ligjore.

Rezervimi

Kur ju rezervoni një paketë udhëtimi, jeni duke lidhur një kontratë me shitësin. Kështu që informacioni i dhënë në broshurë apo fletë informuese nuk duhet të jetë i pavërtetë apo c’orientues.

Ju duhet të pajiseni me një kopje të shkruar të kushteve të kontratës përpara lidhjes së saj. Kontrata duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:

  • Datën dhe vendin e lidhjes së kontratës;
  • Emrin dhe adresën e organizatorit dhe/ose të shitësit;
  • Mënyrat, karakteristikat dhe kategorinë e transportit, që do të përdoret, datat, oraret dhe pikat e nisjes e të kthimit;
  • Vendndodhjen e akomodimit, kur paketa e udhëtimit e përfshin, kategorinë turistike ose shkallën e komoditetit, veçoritë kryesore dhe përputhshmërinë e tij me rregullat e vendit pritës e planin e vakteve të ngrënies;
  • Llojin dhe nivelin e furnizimit me ushqim (catering) e vendet e argëtimit, numrin dhe tipin e vakteve të ngrënies, të përfshira në paketën e udhëtimit;
  • Afatin e fundit për informimin e konsumatorit, në rast anulimi të paketës së udhëtimit, nëse për zhvillimin e kësaj pakete kërkohet një numër minimal pjesëmarrësish;
  • Itinerarin e paketës së udhëtimit;
  • Vizitat, ekskursionet ose shërbimet e tjera, të cilat janë të përfshira në çmimin e përgjithshëm, e për të cilat është rënë dakord për t’u përfshirë në paketën e udhëtimit;
  • Kërkesat tuaja specifike, të cilat i janë bërë të njohura organizatorit ose shitësit, kur ka bërë rezervimin përfundimtar, dhe për të cilat palët kanë rënë dakord;
  • Çmimin e plotë/përfundimtar të paketës së udhëtimit, në lekë, për të gjitha shërbimet e përfshira në kontratë;
  • Kalendarin dhe mënyrën e pagesës (nëse ofrohet);
  • Të dhënat për mundësinë e rishikimit të çmimit, procedurën dhe mënyrën e rillogaritjes së tij, si dhe të dhënat për çdo taksë të pritshme ose pagesë, që mund të ngarkohen për shërbime të caktuara (tarifat në porte për hipje dhe zbritje në anije, tari fat në aeroporte, taksat turistike), kur kosto të tilla nuk janë përfshirë në paketën e udhëtimit;
  • Afatin e fundit, për të cilin konsumatorit i është dhënë e drejta e heqjes dorë nga kontrata, pa qenë përgjegjës për shpenzime dhe kompensim;
  • Nivelin e dëmshpërblimit, që konsumatori detyrohet t’i paguajë organizatorit dhe/ose shitësit, në rast të heqjes dorë të konsumatorit nga kontrata, pas mbarimit të afatit, sipas shkronjës “i” të kësaj pike;
  • Afatin, kur konsumatori njofton organizuesin dhe/ose shitësin, përpara nisjes, për qëllimin e tij, për të transferuar rezervimin përfundimtar te një person i tretë, si dhe afatin e fundit, për të cilin konsumatori duhet të njoftojë organizatorin e paketës së udhëtimit ose shitësin për faktin se ai e ka transferuar paketën e vet te një palë e tretë;
  • Numrin minimal të pjesëmarrësve, të kërkuar për të zhvilluar paketën e udhëtimit, si dhe afatin e fundit për njoftimin e konsumatorëve, në rast se ky numër nuk arrihet dhe paketa e udhëtimit mund të anulohet;
  • Detyrimin për të njoftuar konsumatorin për të drejtat e tij, në rast se paeta e udhëtimit anullohet ose ndryshojnë kushtet thelbësore të saj si psh. çmimi;
  • Afatet, brenda të cilave konsumatori mund të bëjë ankesë për mospërmbushjen ose përmbushjen e papërshtatshme të kontratës së paketës së udhëtimit;
  • Emrin dhe adresën e siguruesit, me të cilin organizatori ka lidhur një kontratë sigurimi, në rastet e rrezikut të mospërbushjes së detyrimeve të tij, të paaftësisë paguese apo falimentimit.

Pas lidhjes së kontratës dhe të paktën 7 ditë pune përpara udhëtimit ju keni të drejtë të merrni informacionin e mëposhtëm:

  • Emrin e shoqërisë, adresën dhe numrin e telefonit të përfaqësuesit të tij vendor në vendin që do të vizitohet dhe, në mungesë të një përfaqësuesi, të dhëna për të kontaktuar agjencitë vendore, të vendit që do të vizitohet, të cilat mund t’i japin asistencë konsumatorit, nëse ndodhet në vështirësi. Në rast mungese të agjencive të tilla vendore, konsumatorit duhet t’i jepet një numër telefoni emergjence ose çdo informacion tjetër, që i mundëson atij të kontaktojë organizuesin dhe/ose shitësin;
  • Oraret dhe vendet e ndalesave të ndërmjetme dhe të pikave lidhëse të udhëtimit, si dhe hollësi për vendet, që do të zihen nga udhëtari, si kabina ose shtrati në anije, ndarjet e fjetjes në tren;
  • Për mundësimin e kontaktimit të drejtpërdrejtë me të miturin ose me personin përgjegjës për të miturin, në vendin e qëndrimit, në rast të udhëtimit ose qëndrimit jashtë Shqipërisë të të miturve;
  • Për mundësinë e marrjes, jo të detyrueshme, të një police sigurimi, për të mbuluar kostot e anulimit nga konsumatori ose kostot e asistencës, përfshirë riatdhesimin, në rast aksidenti ose sëmundjeje.
  • Për sigurimin, në përmbushje të kontratës së paketës së udhëtimit, në rast të paaftësisë tuaj paguese ose falimentimi;

Informacioni çorientues

Në rast se informacioni i dhënë në broshurë është i pavërtetë apo c’orientues, konsumatori mund të kërkojë prej organizatorit/shitësit në kompensim për humbjen apo dëmin e pësuar si pasojë. Në rast se jeni të pakënaqur nga përgjigja e marrë prej organizatorit mund të kontaktoni Komisionin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Kujdes! Përpiquni të ruani çdo dokumentacion që ka lidhje me paketat e udhëtimit si p.sh dokumentin e rezervimit/faturat, broshurat, ankesat që i keni drejtuar organizatorit, etj.

Cfarë ndodh në rast se organizatori falimenton?

Organizatori/shitësi janë të detyruar t’ju pajisin me kontratën e sigurimit dhe Emrin e shoqësrisë së sigurimit me të cilën është lidhur kontratë në rast rreziku të mospërmbushjes së kontratës se paketës së udhëtimit apo në raste falimentimi.

Kontrata e sigurimit duhet të mbulojë:

  • kthimin e parave të paguara nga konsumatori, sipas kontratës së paketës së udhëtimit;
  • kompensimin e diferencës, nëse gjatë paketës së udhëtimit përmbushen vetëm një pjesë e shërbimeve të kontraktuara;
  • shpenzimet për kthimin e konsumatorit në vendin e nisjes.

Kur organizatori ose shitësi i paketës së udhëtimit nuk është në gjendje të sigurojë kontratën e vlefshme të sigurimit, juve ju lind e drejta të hiqni dorë nga kontrata e paketës së udhëtimit, pa asnjë shpenzim a penalizim.

Heqja dorë nga kontrata e paketës së udhëtimit, për këtë arsye, bëhet me shkrim tek organizatori ose shitësi, përpara nisjes.

Anullimi/Ndryshimet e paketës së udhëtimit

Në rast të ndryshimeve të kushteve thelbësore të kontratës, apo anulimit të kontratës nga ana e organizatorit, ju keni të drejtë të hiqni dorë nga kontrata pa penalitet ose të pranoni një shtojcë kontrate ku pasqyrohen ndryshimet dhe ndikimi i tyre në çmim. Në rastet kur ushtrohet një nga këto të drejta, duhet të njoftohet organizatori brenda 3 ditëve nga marrja dijeni e ndryshimeve, por jo më vonë se data e nisjes së udhëtimit.

Në rast se konsumatori vendos të heqë dorë nga kontrata për shkak se ndryshojnë kushtet thelbësore të saj ose sepse organizatori anullon paketën e udhëtimit, atëherë ai ka të drejtë të zgjedhë: ose një paketë zëvendësuese, ekuivalente ose të një cilësie më të lartë, kur organizatori a shitësi janë në gjendje t’ia ofrojnë; ose një pakete udhëtimi zëvendësuese, me një cilësi më të ulët. Në një rast të tillë organizatori ose shitësi duhet t’i kompensojnë konsumatorit diferencën e çmimit ndërmjet paketës së udhëtimit të anuluar dhe asaj të ofruar; ose kthimin e të gjithë shumës së paguar nga konsumatori, sipas kontratës së paketës së udhëtimit, brenda 7 ditëve nga data që organizatori vihet në dijeni për heqjen dorë.

Në raste të tilla konsumatori ka të drejtë të kërkojë kompensim për të gjitha dëmet pasurore dhe jopasurore të pësuara, përvec rasteve kur:

  • anulimi bëhet për shkak të numrit të personave të regjistruar për paketën e udhëtimit, që është më i vogël se numri minimal i kërkuar dhe për këtë, konsumatori ka qenë informuar siç duhet nga organizatori dhe/ose shitësi për anulimin brenda afatit të përcaktuar në kontratën e paketës së udhëtimit;
  • anulimi i udhëtimit është rrjedhojë e një force madhore.

Në çdo rast, parashikimi për zëvendësimin e paketës apo heqjen dorë është i vlefshëm.

Përsa i përket çmimit të paketës, ai nuk mund të ndryshojë 20 ditë përpara nisjes së udhëtimit, megjithatë përpara këtij afati organizatori, në rast se është e lejuar qartë në kontratë, mund të rrisë çmimin vetëm në rastet kur rriten:

  • kostot e transportit përfshirë koston e lëndës djegëse;
  • shuma për t’u paguar, taksa ose tarifa, që vihen në ngarkim, për përdorimin e disa shërbimeve të caktuara, sipas kontratës (tarifat në aeroporte, porte dhe/ose tarifa të tjera);
  • kursin e këmbimit, të përdorur në kontratën e paketës së udhëtimit, në periudhën ndërmjet lidhjes së kontratës dhe datës së nisjes.

Në asnjë rast tjetër nuk lejohet rritja e çmimit, si psh. ndryshimi i çmimit të hotelit, apo shërbimeve të tjera të ofruara në paketë.

Transferimi

Konsumatori në kontratën e paketës së udhëtimit, ka gjithashtu të drejtën të transferojë të drejtat dhe detyrimet e tij te një palë e tretë, që i përmbush kushtet e parashikuara në paketën përkatëse të udhëtimit. Në raste të tilla, konsumatori detyrohet të njoftojë organizatorin brenda afatit të përcaktuar në kontratë.

Po ashtu, konsumatori dhe personi i tretë janë solidarisht përgjegjës për pagimin e çmimit të paketës së udhëtimit, si dhe për çdo kosto shtesë që mund të vijë nga transferimi. Në rastin se në kontratë nuk ka një afat të përcaktuar, atëherë konsumatori ka të drejtë që në një kohë të arsyeshme para nisjes së udhëtimit të kryejë këtë transferim, pasi organizatori nuk mund të shkarkohet nga përgjegjësia me justifikimin se një afat i tillë nuk ishte përcaktuar në kontratë.

Ankimi

Kontrata e paketës së udhëtimit duhet të përcaktojë procedurën dhe afatet e ankesave të konsumatorit.

Konsumatori duhet të njoftojë për çdo mospërmbushje të kontratës së paketës turistike, të cilën ai e dallon në vend, furnizuesin e shërbimit në fjalë dhe organizatorin dhe/ose shitësin, me shkrim ose në një formë tjetër të përshtatshme, me mundësinë më të parë. Njoftimi bëhet me shkrim ose në një mënyrë tjetër të përshtatshme, përfshirë faksin, e-mailin ose mjete të tjera teknike, të cilat sigurojnë mundësinë për riprodhimin e saj.

Furnizuesi i shërbimit në fjalë dhe organizatori dhe/ose shitësi i paketës së udhëtimit apo përfaqësuesi i tyre vendor duhet të marrin menjëherë masat e nevojshme, për të kënaqur konsumatorin, brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe të gjejnë zgjidhjen e përshtatshme.

Organizatori dhe/ose shitësi i paketës së udhëtimit janë përgjegjës ndaj konsumatorit, për përmbushjen e duhur të detyrimeve, që rrjedhin nga kontrata e paketës së udhëtimit, pavarësisht nëse këto detyrime janë për t’u përmbushur nga organizatori dhe/ose shitësi apo nga një tjetër furnizues i shërbimeve.

Në çdo rast të mospërmbushjes së shërbimeve të premtuara sipas paketës së udhëtimit, organizatori duhet të dëmshpërblejë konsumatorin.

Organizatori nuk detyrohet të kompensojë konsumatorin vetëm në rastet se dëmtimi i konsumatorit ka ardhur si pasojë e:

  • veprimeve të konsumatorit;
  • veprimeve, të një pale të tretë, që nuk ka lidhje me ofrimin e shërbimeve të kontraktuara, të cilat janë të paparashikuara ose të pashmangshme;
  • një rrethane të një force madhore ose një ngjarjeje, të cilën organizatori dhe/ose nënkontraktorët e tij, me gjithë kujdesin e duhur, nuk mund ta parashikonin a të parandalonin.

Në dy rastet e fundit, organizatori dhe/ose shitësi i paketës së udhëtimit duhet t’i japin ndihmën e menjëhershme konsumatorit në vështirësi.

Në cdo rast pakenaqësie ruani cdo ankesë që i keni drejtuar organizatorit, si dhe cdo provë tjetër të mundshme, foto, video nga vendi i akomodimit, etj.

Në rast se ankesa juaj nuk adresohet në mënyrë të kënqshme nga organizatori, atëherë keni mundësi t’i drejtohëni, Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit për të shqyrtuar ankesën tuaj, si edhe Gjykatës kompetente për të kërkuar shpërblimin e dëmit.