SMK/MZHETTS në zbatim të Ligjit 9902/2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i ndryshuar, si dhe Vendimit nr. 36, datë 18.02.2015, të Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve, në bashkëpunim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ndërmarrën nismën për hartimin e një kodi sjelljeje mes operatoreve të fushës së komunikimit të telefonisë.
Kodi i Sjelljes përbën dokumentin, i cili shpreh marrëveshjen që është negociuar dhe miratuar nga sipërmarrësit/operatorët e komunikimeve elektronike, për fushën e komunikimeve elektronike dhe që nëpërmjet saj, operatoret marrin përsipër të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë kod në marrëdhëniet me konsumatorët, por edhe midis tyre.
Zbatimi i këtij kodi do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët/konsumatorët, pasi do të sigurojë ofrimin e një shërbimi me të mirë ndaj konsumatorëve, duke respektuar norma etike të sjelljes kundrejt tyre, përmirësimin e transparencës së tregut, për një informim me të mirë të tyre. Gjithashtu, do të sjellë përmirësimin e konkurrencës së ndershme midis vetë operatoreve, si dhe uljen e ankesave të vetë operatorëve, në organet administrative shtetërore, për praktikat tregtare që ata zbatojnë në treg. Vlen të theksohet fakti që hartimi i këtij kodi është një praktike e njohur për vendet e BE, por i zbatuar për herë të parë dhe në vendin tonë, përbën një risi.