Edukim & Ndërgjegjësim

Kushtet e padrejta në kontrata

 

Llojet e kontratave, mbi të cilat ushtrohet kontroll për kushtet e padrejta

Sipas ligjit ‘Për mbrojtjen e konsumatorëve’, konsumatorët gëzojnë mbrojtje ligjore për kushtet e padrejta të parashikuara në kontratat standarde që ata lidhin me tregtarët.
Të gjitha kontratat që lidhen nga konsumatorët me tregtarët, me gojë apo me shkrim, në qendra tregtare apo jashtë tyre, në distancë apo drejtpërdrejtë nuk duhet të përmbajnë kushte të padrejta, të cilat dëmtojnë konsumatorët.

Kontrata është marrëveshja që realizohet ndërmjet dy palëve për arritjen e një qëllimi të përbashkët, p.sh kontrata shitblerje, furnizimi, qiraje, etj për mallra apo shërbime.
Që të realizohet mbrojtja e parashikuar nga ligji, kontrata duhet të jetë e lidhur midis tregtarit dhe konsumatorit. Kjo mbrojtje nuk shtrihet në kontratat e lidhura midis dy konsumatorëve, apo midis dy tregtarëve me njëri tjetrin. Pra, njëra palë e kontratës duhet të jetë konsumator, ndërsa pala tjetër duhet të jetë tregtar.

Me konsumator, kuptohet çdo person, i cili blen ose përdor mallra apo shërbime për plotësimin e nevojave vetjake, për qëllime që nuk kanë lidhje me veprimtarinë tregtare ose ushtrimin e profesionit. Ndërsa, me termin tregtar kuptohet çdo person fizik ose juridik, i cili vepron për qëllime që lidhen me veprimtarinë e tij ekonomike, tregtinë, biznesin, zanatin ose profesionin, si dhe cilido, që vepron në emër ose në interes të tregtarit.

Llojet e kushteve mbi të cilat mund të ushtrohet kontrolli i padrejtësisë (apo kushtet për të cilat mund të ankohet konsumatori):

Konsumatori mund të ankohet vetëm për ato kushte të cilat nuk janë negociuar veçmas, ose ato kushte të cilat njihen si kushte standarde, pra janë të njëjta në të gjitha kontratat që një tregtar lidh me konsumatorët, pasi synojnë të disiplinojnë në mënyrë uniforme marrëdhënie kontraktore të caktuara. Në rast se një kusht i kontratës është negociuar midis konsumatorit dhe tregtarit, atëherë konsumatori nuk mund të ankohet mbi këtë kusht. Në çdo rast, barra e provës për të vërtetuar se kushti është negociuar veçmas i takon tregtarit.

Një kusht i kontratës konsiderohet i panegociuar veçmas, kur ka qenë hartuar më parë nga tregtari dhe, si pasojë, konsumatori nuk ka qenë në gjendje të ndikojë në përmbajtjen e kushtit, veçanërisht në tekstin e kontratës standarde, të formuluar më parë.

Në rast se disa aspekte të kushtit ose një kusht specifik kanë qenë të negociuara veçmas, atëherënuk përjashtohet kontrolli mbi pjesën tjetër të kontratës, nëse një vlerësim i përgjithshëm i kontratës tregon se ajo është një kontratë standarde e formuluar më parë.

Konsumatori mund të ankohet mbi kushtet standarde, të formuluara më parë nga tregtari, pasi prezumohet se konsumatori nuk ka qenë në gjendje të shprehë vullnetin e tij të lirë në lidhje me këto kushte, por ka qenë i nënshtruar ndaj asaj çka ka ofruar tregtari. Duke qenë se këto kushte kontraktuale janë produkt i vullnetit vetëm të një pale, atëherë ato duhet të jenë të drejta dhe të mos dëmtojnë interesat e konsumatorëve në favor të tregtarëve.

Kontrolli i padrejtësisë nuk mund të ushtrohet mbi kushtet thelbësore të kontratës, sikurse janë çmimi dhe objekti kryesor i kontratës (malli apo shërbimi që ofrohet). Objekti dhe çmimi i kontratës janë faktori thelbësor, i cili ndikon në formimin e vullnetit të konsumatorit për të lidhur kontratën, prandaj prezumohet se kushte të tilla janë pasojë e vullnetit të plotë dhe të lirë të palëve, nëse këto janë të kuptueshme për konsumatorin. Megjithatë kushtet thelbësore janë të përjashtuara nga vlerësimi i padrejtësisë së kushtit, për aq kohë sa ato janë transparente, pra janë shprehur në një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme për konsumatorin. Transparenca e kushtit nënkupton jo vetëm që ky kusht të kuptohet nga pikëpamja gramatikore, por ai duhet të kuptohet edhe përsa i përket pasojave ekonomike që sjell për konsumatorin. Konsumatori duhet të kuptojë dhe të ketë mundësi të parashikojë pasojat dhe pozitën ekonomike, në të cilën vendoset në një kohë afatgjatë pas lidhjes së kontratës. Në rast se kushtet thelbësore nuk janë të qarta dhe transparente, atëherë ato mund t’i nënshtrohen kontrollit për padrejtësi.

Kushti i padrejtë

Kushti i padrejtë kontraktual është ai kusht, i cili ka qenë hartuar më parë nga tregtari dhe konsumatori nuk ka mundur të ndikojë përmbajtjen e tij, si dhe nga ky kusht shkaktohet një pabarazi e ndjeshme dhe e dallueshme në të drejtat dhe detyrimet e palëve, që rrjedhin nga kontrata, në dëm të konsumatorëve.

Me pabarazi të ndjeshme në të drejtat dhe detyrimet e palëve, do të kuptojmë faktin se kontrata është e ç’balancuar dhe tregtari fiton nga kontrata më shumë favore dhe të drejta në dëm të konsumatorëve, si p.sh për konsumatorin caktohet një penalitet në rast se tërhiqet nga kontrata, ndërsa për tregtarin nuk aplikohet asnjë penalitet.
Për të kuptuar ekuilibrin e të drejtave dhe detyrimeve të palëve në një kontratë, duhet që situata në të cilën është vendosur konsumatori me anë të kontratës, të krahasohet me situatën në të cilën konsumatori do të ndodhej në mungesë të kontratës dhe në aplikimin e drejtpërdrejtë të ligjit që rregullon marrëdhënien në të cilën ky konsumator ndodhet. Në rast se nga krahasimi i këtyre dy situatave rezulton se ka një dallim të konsiderueshëm, atëherë arrihet në përfundimin se kemi një pabarazi të ndjeshme mes të drejtave dhe detyrimeve të palëve, të cilat devijojnë nga parimet e barazisë dhe paanësisë që parashikon e drejta, e veçanërisht Kodi Civil.

Gjithashtu, në rast se pabarazia e shkaktuar është haptazi e dallueshme, pra kundër kërkesave të mirëbesimit mes palëve, atëherë kushti do të konsiderohet i padrejtë. Me kërkesat e mirëbesimit kuptohet marrja në konsideratë e interesave të konsumatorit nga ana e tregtarit. Pra, tregtari duhet të sillet gjatë aktivitetit të tij tregtar në përputhje me zakonet e mira tregtare, duke evituar praktikat e padrejta tregtare. Për të vlerësuar nëse një kusht kontraktual është në përputhje me kërkesat e mirëbesimit duhet të shohim nëse tregtari, duke ndërvepruar në mënyrë të drejtë e të paanshme me konsumatorin, mund të prezumojë në mënyrë të arsyeshme se konsumatori do të kishte rënë dakord me një kusht të tillë në negociemet kontraktore individuale.

Përveç sa më sipër, në vlerësimin e një kushti të padrejtë duhet të merren parasysh edhe rrethana të tjera si p.sh. natyra e mallrave dhe shërbimeve, për të cilat lidhet kontrata; koha e lidhjes së kontratës; rrethanat shoqëruese të lidhjes së kontratës, (p.sh nëse janë përdorur praktika të padrejta, agresive, publicitet mashtrues, etj.); kushte të tjera të kontratës ose kontratë tjetër, nga e cila është e varur, (pra kushtet e kontratës në tërësi apo një kontratë tjetër që lidhet me kontratën kryesore, p.sh blihet një send, por shitësi i garanton konsumatorit edhe një kontratë huaje (kredi bankare) për të paguar çmimin e sendit të blerë.

Të gjitha këto situata duhet të merren në konsideratë për të vlerësuar nëse në tërësinë e saj marrëdhënia midis konsumatorit dhe tregtarit është e ekuilibruar në të drejta dhe detyrime, apo jo.

Shembuj të kushteve të padrejta

Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve parashikon një listë kushtesh të cilat konsiderohen të padrejta në rast se ndodhen në kontratë. Kjo listë ndihmon tregtarët, që kur hartojnë kontratat standarde t’i përjashtojnë këto lloj kushtesh nga përmbajtja e tekstit të kontratës, në rast të kundërt ato nuk do të sjellin efekt dhe nuk do të jenë të detyrueshme për konsumatorin.
Të tilla kushte janë p.sh. ato kushte të cilat:

  • përjashtojnë përgjegjësinë e tregtarit në rast të vdekjes apo dëmtimit personal të konsumatorit, që vjen si pasojë e vprimeve të tregtarit;
  • përjashtojnë ose kufizojnë të drejtat ligjore të konsumatorit që ky mund të ketë ndaj tregtarit, si p.sh kompensimi i detyrimeve, etj.;
  • detyrojnë konsumatorin, por i lejojnë tregtarit të detyrohet vetëm me plotësimin e kushteve që varen nga ai vetë;
  • i lejojnë tregtarit që në rast të ndërprerjes së kontratës, të mbajë shumën e paguar nga konsumatori; por nuk parashikon mmarjen e një kompensimi nga ana e konsumatorit, në rast se tregtari e ndërpret kontratën;
  • i kërkojnë konsumatorit, që në rast se nuk përmbush detyrimin e tij, të paguajë një penalitet tepër të lartë dhe joproporcional;
  • i lejojnë tregtarit të prishë kontratën lirisht, kur një liri e tillë nuk parashikohet edhe për konsumatorit, apo i lejojnë tregtarit të mbajë shumën e paguar paraprakisht nga konsumatori edhe kur tregtari nuk ka përmbushur detyrimet e tij;
  • i mundësojnë tregtarit të prishë kontratën pa afat, pa një njoftim të mëparshëm dhe të arsyeshëm për konsumatorin;
  • i zgjasin automatikisht një kontratë me afat të caktuar, pa i lënë kohë të mjaftueshme konsumatorit për t’u shprehur mbi këtë zgjatje;
  • e detyrojnë konsumatorin të mos anulojë kushtet me të cilat ai nuk kishte mundësi të njihej përpara lidhjes së kontratës;
  • i mundësojnë tregtarit të ndryshojë kushtet e kontratës në mënyrë të njëanshme pa një arsye të vlefshme që specifikohet në kontratë;
  • i mundësojnë tregtarit të ndyshojë karakteristikat e mallit apo shërbimit, pa një arsye të vlefshme
  • i parashikojnë që çmimi të përcaktohet në momentin e dorëzimit të malli, apo i lejojnë tregtarit rritjen e çmimit pa i dhënë mundësi konsumatorit të tërhiqet nga kontrata;
  • i japin të drejtë tregtarit të përcaktojë nëse malli është me difekte apo jo, ose i japin tregtarit të drejtën për të interpretuar në mënyrë ekskluzive çdo kusht të kontratës;
  • i kufizojnë detyrimin e tregtarit për të përmbushur angazhimet e marra përsipër nga përfaqësuesi i tij;
  • e detyrojnë konsumatorin të përmbushë të gjitha detyrimet e tij, ndërsa tregtari nuk përmbush detyrimet e veta;
  • i japin tregtarit mundësinë të trasferojë të drejtat që rrjedhin nga kontrata, kur kjo shkakton pakësimin e garancive për konsumatorin, pa marrë pëlqimin e këtij të fundit;
  • pengojnë të drejtën e konsumatorit për të ndërmarrë veprime ligjore, apo për t’iu drejtuar gjykatës;
  • ndryshojnë kushtet e kontratave të kredisë, veçanërisht metodologjinë e përllogaritjes së normës së interesit, pa marrë më parë pëlqimin e konsumatorit.

Transparenca e kushteve kontraktore

Konsumatori ka të drejtë të ketë të paraqituara kushtet e kontratës në një gjuhë të qartë e të kuptueshme. Nga pikëpamja formale, kushtet e kontratës duhet të jenë të paraqitura në gjuhën shqipe, të kuptueshme nga pikëpamja gramatikore dhe semantike, dhe të jenë të dallueshme. Shkrimi i përdorur të jetë “Times New Roman”, me madhësi të karakterit të shkrimit, të paktën 10.

Nga pikëpamja substanciale, kushti duhet të jetë i kuptueshëm nga konsumatori, përsa i përket pasojave ekonomike që ai sjell në plan afatgjatë. Konsumatori duhet të jetë në gjendje të parashikojë me siguri të gjitha pasojat ekonomike që i vijnë nga një kusht kontraktual, si p.sh. nga llogaritja e normave të interesit në kredi bankare, apo nga kursi i këmbimit kur kredia bankare është marrë në monedhë të huaj, apo nga luhatjet e çmimit të shërbimeve apo mallrave në kontratat afatgjata, etj.

Në rast se ka dyshime rreth kuptimit të kushtit të kontratës, atëherë ai interpretohet në favor të konsumatorit dhe kundër tregtarit.

Pasojat e kushtit të padrejtë

Kushti i padrejtë është i pavlefshëm dhe nuk e detyron konsumatorin që ta respektojë atë. Ligji parashikon se, në rastin kur kushti konsiderohet i padrejtë, ai quhet i pavlefshëm nga koha që është lidhur kontrata. Pra konsiderohet sikur kushti i padrejtë të mos ishte parashikuar fare në kontratë. Ndërsa, kushtet e tjera kontraktuale mbeten detyruese për palët, kur zbatimi i mëtejshëm i kontratës është i mundshëm. Në rast se kontrata nuk mund të qëndrojë pa kushtin e padrejtë, atëherë ajo nuk zbatohet dhe konsiderohet e paqenë.

Por qëllimi i ligjit nuk është të anullojë kontratën në tërësi, por vetëm kushtet e padrejta që ajo përmban. Për ketë arsye, në rast se ligji e lejon, gjykata mund të zëvendësojë kushtin e padrejtë me një kusht të parashikuar nga ligji, vetëm në ato raste kur kontrata rrezikon të anulohet plotësisht.

Në rast se kontrata mund të vazhdojë pa kushtin e padrejtë, atëherë kushti i padrejtë nuk duhet të përshtatet as nga gjykata dhe as nga ndonjë institucion tjetër, por kontrata duhet të vazhdojë të përmbushet nga palët, pa marrë në konsideratë kushtin e padrejtë.

Ankimi

Në rast se konsumatori dyshon se në kontratën e tij gjendet një kusht i padrejtë, atëherë mund të ankohet:

  • tek tregtari, ku ta denoncjë kushtin dhe të kërkojë që ky kusht i kontratës të anulohet;
  • tek shoqatat konsumatore, të cilat kanë të drejtë të ngrenë një padi kundër tregtarit, ku mund të kërkojnë heqjen dhe ndalimin e përdorimit të kushteve të padrejta në kontratat standarde përkatëse;
  • tek Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorëve, i cili në rast se e gjen ankesën të bazuar, mund të anullojë kushtin e pretenduar si të padrejtë:
  • në gjykatë, ku vetë konsumatori mund të ngrejë një padi për anullimin e kushtit të padrejtë në kontratë.