Legjislacioni & politika
Institucionet Përgjegjëse
Kuadri institucional për mbrojtjen e konsumatorëve ka përcaktuar disa institucione me kompetenca përkatëse:
Sektori i Tregut të Brendshëm në Drejtorinë e Politikave të Zhvillimit Ekonomik
Struktura përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (MFE) është Sektori i Tregut të Brendshëm në Drejtorinë e Politikave të Zhvillimit Ekonomik.
Ky sektor është përgjegjës për formulimin e politikave dhe legjislacionit mbi çështjet e mbrojtjes së konsumatorit, si dhe për të siguruar instrumentet rregullatore për të siguruar zbatimin e kësaj politike dhe legjislacionit.
Përgjegjësitë dhe detyrat kryesore në funksion të çështjeve të mbrojtjes së konsumatorëve
- Përgatitja e propozimeve në drejtim të hartimit dhe zhvillimit të politikës të mbrojtjes së konsumatorëve, të akteve ligjore dhe nënligjore për mbrojtjen e konsumatorit, duke ndjekur zhvillimet sipas direktivave të BE në këtë fushë.
- Pjesëmarrja në punën koordinuese me gjithë institucionet përgjegjëse në kuadër të Kapitullit 28 “Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit publik”;
- Marrja e masave organizative për mbledhjet e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Këshillit Bashkërendues të Mbrojtjes së Konsumatorëve, përgatitja e raporteve për to, si dhe ndjekja sipas rastit e procedurave gjyqësore për vendimet e KMK;
- Menaxhimi i ankesave të konsumatorëve nëpërmjet sistemit online dhe rrugë të tjera, në zbatim të procedurave të udhëzimit të trajtimit të ankesave të konsumatorëve.
- Mbështetja e iniciativave të organizatave jo-fitimprurëse për promovimin e të drejtave të konsumatorit, që veprojnë në këtë fushë, bashkëpunimi me shoqatat e konsumatorëve në lidhje me informimin, këshillimin dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve, si dhe me organizatat e biznesit dhe institucione qendrore e vendore dhe analoget jashtë vendit.
Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve
Është struktura kryesore zbatuese e legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorëve. Ky komision është organ vendimmarrës me kompetencat për marrjen e masave administrative në rast të shkeljes së legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit. Komisioni përbëhet nga dy përfaqësues të MFE, 2 përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe një përfaqësues i shoqërisë civile me përvojë në fushën e çështjeve të mbrojtjes së konsumatorit. Komisioni ka filluar funksionimin në maj 2009.
Misioni i Komisionit: është mbrojtja e interesave ekonomike te konsumatorëve, nëpërmjet shqyrtimit te shkeljeve të legjislacionit të mbrojtjes së konsumatorëve në lidhje me: praktikat e padrejta tregtare; publicitetin çorientues, te padrejte dhe krahasues; kushte të padrejta në kontratën e konsumatorit; kontratat jashtë qendrave te tregtimit; shitjen e mallrave te konsumatorëve te shoqëruar me garanci dhe përputhshmëria kontraktuale; kontratat ne largësi; kreditë konsumatore; kontratat e paketave turistike, etj.
Komisioni shqyrton dhe vendos sipas konstatimeve, kërkesave, ankesave apo informacioneve te tjera te paraqitura ne Komision, kur ato përbejnë shkak te mjaftueshëm për procedim te mëtejshëm.
Komisioni trajton ankesat e konsumatorëve, duke kryer në këtë mënyrë funksionet e një strukture për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve (ZAM). Komisioni u jep zgjidhje ankesave individuale të konsumatorëve, por roli i tij kryesor vendimmarrës i takon çështjeve të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm apo publik të konsumatorëve.
Kompetencat e Komisionit: janë nxjerrja e paralajmërimeve për ndreqjen e shkeljeve; dhënia e masave detyruese për ndreqjen e shkeljeve; urdhërimi i ndalimit të shkeljeve, si dhe vendosjen e gjobave administrative; Komisioni në rastin e shkeljeve të konstatuara mund të vendosë edhe për kompensim apo dëmshpërblim të konsumatorëve. Vendimet e KMK publikohen në faqen zyrtare të KMK. Për me shume informacion për veprimtarinë e komisionit: http://kmk.financa.gov.al/wp-content/uploads/2017/09/Raporti-2-final.pdf
Inspektorati i mbikëqyrjes së tregut
Është struktura tjetër zbatuese e legjislacionit të mbrojtjes së konsumatorëve, sigurisë se përgjithshme për produktet jo ushqimore, si dhe i ngarkuar me përgjegjësi për kryerjen e aktiviteteve të mbikëqyrjes së tregut. Ky inspektorat funksionon pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.