Rregulla mbi informimin e konsumatoreve në blerjet në largesi dhe jashte qendrave të tregtimit mbi Të drejtat e konsumatorëve dhe detyrimet e tregtareve[1]
- INFORMACION i përgjithshëm PЁR KONSUMATORIN
- Informacioni për kontratat në largësi dhe kontratat jashtë qendrave të tregtimit
- Përpara se konsumatori të ketë lidhur një kontratë në largësi ose një kontratë jashtë qendrave të tregtimit apo të ketë pranuar ndonjë ofertë korresponduese, tregtari i jep konsumatorit informacionin e mëposhtëm, në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme:
- karakteristikat kryesore të mallrave apo të shërbimeve;
- emrin e regjistruar të tregtarit;
- adresën postare, në të cilën tregtari ushtron veprimtarinë, numrin e telefonit, numrin e faksit dhe adresën e postës elektronike të tregtarit, për t’i dhënë mundësi konsumatorit të kontaktojë tregtarin dhe të komunikojë me të, apo ku konsumatori mund të adresojë ndonjë ankesë;
- çmimin e plotë të mallrave apo të shërbimeve, përfshirë taksat e tatimet, ose mënyrën me të cilën çmimi do të llogaritet, kur natyra e mallrave apo shërbimeve është e tillë që çmimi nuk mund të llogaritet paraprakisht për shkaqe të arsyeshme.
- koston e përdorimit të mjeteve të komunikimit në largësi për lidhjen e kontratës, kur ajo kosto llogaritet me një tarifë të ndryshme nga ajo bazë;
- parashikimet për mënyrën e pagesës, dorëzimin, ekzekutimin, kohën kur tregtari merr përsipër të dorëzojë mallrat ose të kryejë shërbimet, si dhe për procedurën e trajtimit të ankesave që ndjek tregtari, sipas rastit;
- të drejtën e heqjes dorë nga kontrata, kushtet, afatin dhe procedurat për ushtrimin e së drejtës, si edhe formularin model të heqjes dorë, të paraqitur në shtojcën I (B);
- faktin që konsumatori duhet të përballojë koston e kthimit të mallrave, në rast të heqjes dorë nga kontrata, sipas rastit. Për kontratat në largësi, kur mallrat nga natyra e tyre nuk mund të kthehen normalisht me postë, duhet të jepet informacioni mbi koston e kthimit të tyre, sipas rastit;
- shpenzimet që konsumatori detyrohet t’i paguajë tregtarit, nëse konsumatori ushtron të drejtën e heqjes dorë nga kontrata pasi ka bërë një kërkesë;
- informacionin që konsumatori nuk përfiton nga e drejta e heqjes dorë nga kontrata, në rastet kur kjo e drejtë, nuk është e parashikuar, ose rrethanat në të cilat konsumatori humbet të drejtën e tij të heqjes dorë nga kontrata, sipas rastit;
- detyrimin ligjor të përputhshmërisë së mallrave (garancia ligjore e mallrave);
- ekzistencën dhe kushtet për asistencë të klientëve pas shitjes, shërbime pas shitjes dhe garancitë tregtare, sipas rastit;
- afatin e kontratës ose kushtet për zgjidhjen e kontratës kur kontrata është me afat të pacaktuar apo zgjatet automatikisht, sipas rastit;
- mundësinë e përdorimit të zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve dhe të mekanizmit të vënies në vend të së drejtës, ku tregtari është subjekt, si dhe procedurat për përdorimin e saj, sipas rastit.
- Nëse tregtari nuk i ka përmbushur detyrimet për informacion mbi pagesën shtesë ose shpenzime të tjera, apo për koston e kthimit të mallrave, atëherë konsumatori nuk detyrohet për këto pagesa apo shpenzime.
- Në rast mosmarrëveshjesh, detyrimin për të provuar dhënien e informacionit e ka tregtari.
- Kërkesat për kontratat jashtë qendrave të tregtimit dhe kontratat në largësi
- Tregtari i jep konsumatorit informacionin me shkrim, me anë të një mjeti tjetër të qëndrueshëm komunikimi, nëse konsumatori bie dakord, informacionin e sipërpermendur në pikën A. Informacioni duhet të jetë lehtësisht i lexueshëm, i thjeshtë e i kuptueshëm
- Informacioni i përmendur në pikën A, është pjesë përbërëse e një kontrate në largësi ose e një kontrate jashtë qendrave të tregtimit dhe nuk ndryshohet, përveçse kur palët kontraktuese bien dakord ndryshe shprehimisht.
- Tregtari i jep konsumatorit një kopje të kontratës së nënshkruar ose konfirmimin e kontratës, me letër ose, kur konsumatori bie dakord, me anë të një mjeti tjetër të qëndrueshëm komunikimi.
- Nëse një kontratë në largësi, e vendos konsumatorin nën detyrimin për të paguar, atëherë tregtari e vë në dijeni konsumatorin për informacionin që lidhet me pagesat në mënyrë të qartë dhe të dukshme, përpara se ai të bëjë porosinë.
- Nëse bërja e një porosie kërkon aktivizimin e një butoni apo një funksioni të ngjashëm, ky duhet të etiketohet në një mënyrë lehtësisht të lexueshme me fjalët “porosi me detyrim pagese”, Nëse tregtari nuk vepron në përputhje me këtë përcaktim, konsumatorit nuk i lind asnjë detyrim nga kontrata ose porosia.
- Faqet tregtare të internetit (ëebsite) duhet të vënë në dukje, në mënyrë të qartë dhe të lexueshme, që në fillim të procesit të bërjes së porosisë, nëse ekziston ndonjë kufizim për dorëzimin e mallrave, si dhe mjetet e pagesës që pranohen për blerje.
- Nëse tregtari i telefonon konsumatorit, me qëllimin e lidhjes së kontratës në largësi, ai në fillim të bisedës bën të ditur identitetin e tij dhe, sipas rastit, identitetin e personit, në emër të të cilit ai po telefonon, si dhe qëllimin tregtar të telefonatës.
- Kur një kontratë në largësi lidhet nëpërmjet telefonit, tregtari ia konfirmon ofertën konsumatorit, i cili detyrohet nga kontrata, vetëm pasi konsumatori ta ketë nënshkruar ofertën ose të ketë dërguar pëlqimin e tij me shkrim. Një konfirmim i tillë bëhet me anë të një mjeti të qëndrueshëm komunikimi.
- E DREJTA E konsumatorit për HEQJEn DORË NGA KONTRATAT NЁ LARGЁsi DHE KONTRATAT JASHTË QENDRAVE TË TREGTIMIT
- E drejta e heqjes dorë nga kontrata
- Konsumatori ka të drejtë të heqë dorë nga kontratat në largësi apo jashtë qendrave të tregtimit, brenda një afati prej 14 ditësh, pa dhënë ndonjë arsye dhe pa u detyruar për asnjë kosto tjetër.
- Afati i heqjes dorë nga kontrata, përfundon pas 14 ditësh nga:
- dita e lidhjes së kontratës, në rastin e kontratave të shërbimit;
- dita në të cilën konsumatori ose një palë e tretë, e ndryshme nga transportuesi dhe e autorizuar nga konsumatori, merr në dorëzim mallrat, në rastin e kontratës së shitjes, ose:
- dita e lidhjes së kontratës, në rastin e kontratave të furnizimit me ujë, gaz apo energji elektrike, kur ato nuk janë vendosur në shitje me një vëllim të kufizuar apo sasi të caktuar, ngrohje lokale, ose përmbajtje digjitale që nuk jepet në një mjet të trupëzuar.
- Nëse tregtari nuk i ka siguruar konsumatorit informacionin për të drejtën e heqjes dorë nga kontrata, afati i heqjes dorë përfundon 12 muaj nga mbarimi i afatit fillestar të heqjes dorë nga kontrata.
- Ushtrimi i së drejtës së heqjes dorë nga kontrata nga konsumatori
- Konsumatori njofton tregtarin për vendimin e tij të heqjes dorë nga kontrata përpara plotësimit të afatit 14-ditor. Për këtë qëllim, konsumatori mund:
- të përdorë formularin model të heqjes dorë nga kontrata, sikurse parashikohet në shtojcën I të këtij materiali;
- b) të bëjë një deklaratë tjetër të qartë, ku të parashtrojë vendimin e tij të heqjes dorë nga kontrata.
- Tregtari, përveç mundësive të parashikuara në pikën 1, të mësiperme, mund t’i japë konsumatorit mundësinë që të plotësojë dhe të dorëzojë në mënyrë elektronike formularin model të heqjes dorë nga kontrata, sipas shtojcën I të këtij materiali, ose çdo deklaratë tjetër të qartë në faqen e internetit (ëebsite) të tregtarit. Në këto raste, tregtari i konfirmon konsumatorit, pa vonesë, marrjen e njoftimit të heqjes dorë nga kontrata, në një mjet të qëndrueshëm komunikimi.
- Konsumatori ka detyrimin të provojë ushtrimin e së drejtës së heqjes dorë nga kontrata.
- Detyrimet e tregtarit ndaj konsumatorit në rast të heqjes dorë nga kontrata
- Tregtari i rimburson të gjitha pagesat e marra nga konsumatori, jo më vonë se 14 ditë nga dita në të cilën ai është njoftuar për vendimin e konsumatorit për heqjen dorë nga kontrata.
- Tregtari kryen rimbursimin e përmendur më sipër, duke përdorur të njëjtin mjet pagese që konsumatori ka përdorur për transaksionin fillestar, përveç rasteve kur konsumatori ka rënë dakord shprehimisht ndryshe, me kusht që konsumatori të mos paguajë asnjë tarifë shtesë.
- Detyrimet e konsumatorit në rast të heqjes dorë nga kontrata
- Konsumatori i kthen mallrat ose ia dorëzon ato tregtarit apo një personi të autorizuar prej tregtarit jo më vonë se 14 ditë nga dita në të cilën ai ka njoftuar tregtarin për vendimin e heqjes dorë nga kontrata.
- Konsumatori detyrohet vetëm për kostot e drejtpërdrejta të kthimit të mallrave, përveç rasteve kur tregtari ka pranuar t’i përballojë vetë ato ose kur tregtari nuk ka arritur të njoftojë konsumatorin se kostot detyrohet t’i paguajë vetë konsumatori.
- Konsumatori mban përgjegjësi vetëm për vlerën e pakësuar të mallrave që rezulton nga një përdorim i ndryshëm nga ai që nevojitet për të përcaktuar natyrën, karakteristikën dhe funksionimin e tyre.
- Kur konsumatori ushtron të drejtën e heqjes dorë nga kontrata, konsumatori i paguan tregtarit një shumë monetare në përpjesëtim me vlerën që ai ka dhënë, deri në kohën kur ka njoftuar tregtarin për ushtrimin e së drejtës së heqjes dorë nga kontrata, e krahasuar me përmbushjen e plotë të detyrimit kontraktor.
- Konsumatori nuk detyrohet për kostot kur:
- tregtari nuk e ka informuar për të drejtën e heqjes dorë dhe shpenzimet që rrjedhin prej saj; ose
- konsumatori nuk ka kërkuar shprehimisht që zbatimi i kontratës të nisë gjatë afatit të heqjes dorë nga kontrata
- Përjashtime nga e drejta e heqjes dorë së konsumatorit nga kontratat
E drejta e heqjes dorë së konsumatorit nga kontratat në largësi dhe jashtë qendrave të tregtimit, nuk zbatohen për rastet si vijon:
- kontratave të shërbimeve, pasi shërbimi është kryer plotësisht, dhe nëse zbatimi i kontratës ka filluar me pëlqimin e shprehur paraprak të konsumatorit;
- furnizimit të mallrave apo shërbimeve, për të cilat çmimi varet nga luhatjet në tregun financiar, të cilat nuk mund të kontrollohen nga tregtari dhe që mund të ndodhin brenda afatit të heqjes dorë nga kontrata;
- furnizimit të mallrave të bëra sipas specifikimeve të konsumatorit ose që janë qartësisht të personalizuara;
- furnizimit të mallrave, të cilat janë të rrezikuara të prishen ose të skadojnë me shpejtësi;
- furnizimit të mallrave të vulosura, të cilat nuk janë të përshtatshme për t’u kthyer, për arsye të mbrojtjes së shëndetit apo të higjienёs dhe që janë hapur pas dorëzimit;
- furnizimit të pijeve alkoolike, vlera aktuale e të cilave varet nga luhatjet në treg dhe nuk mund të kontrollohet nga tregtari, por që për çmimin është rënë dakord në kohën e lidhjes së kontratës së shitjes dhe dorëzimi mund të bëhet vetëm pas 30 ditëve;
- në rastin ku konsumatori ka kërkuar specifikisht një vizitë nga tregtari, me qëllim kryerjen e riparimeve urgjente ose mirëmbajtjes;
- furnizimit të regjistrimeve audio ose video të vulosura apo softëare kompjuterash të vulosur, që janë hapur pas dorëzimit;
- furnizimit të një gazete, periodiku apo reviste, me përjashtim të kontratave të abonimit për furnizimin e botimeve të tilla;
- furnizimit të përmbajtjes digjitale që nuk jepet në një mjet të trupëzuar, kur ekzekutimi ka nisur me pëlqimin e shprehur paraprakisht të konsumatorit dhe pranimit nga ana e tij se në këtë mënyrë ai humbet të drejtën e heqjes dorë nga kontrata.
- TЁ DREJTA TЁ TJERA TЁ KONSUMATORIT
- Tregtari i dorëzon mallrat tek konsumatori, pa vonesa të panevojshme, por jo më vonë se 30 ditë nga lidhja e kontratës.
- Kur tregtari nuk e përmbushë detyrimin e tij për të dorëzuar mallrat në kohën e rënë dakord me konsumatorin ose brenda afatit, konsumatori e njofton tregtarin ta bëjë dorëzimin brenda një afati shtesë, që t’i përshtatet rrethanave. Nëse tregtari nuk arrin të dorëzojë mallrat brenda afatit shtesë, konsumatori ka të drejtë të zgjidhë kontratën.
- Në rastet kur tregtari ka refuzuar të dorëzojë mallrat ose kur dorëzimi brenda afatit të dorëzimit të pranuar është thelbësor për konsumatorin,e megjithatë tregtari nuk arrin të dorëzojë mallrat në kohën e rënë dakord me konsumatorin, konsumatori ka të drejtë të zgjidhë menjëherë kontratën.
- Me zgjidhjen e kontratës, tregtari rimburson, pa vonesa të panevojshme, të gjitha shumat e paguara në bazë të kontratës.
- Përveç zgjidhjes së kontratës, konsumatori ka të drejtë të përdorë edhe mjetet juridike që ka në dispozicion, në rastin e mospërmbushjes së detyrimeve, sipas Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.
- Ndalohet furnizimi i konsumatorit me mallra, ose përmbajtje digjitale dhe shërbime të të tjera, të cilat nuk janë porositur paraprakisht nga konsumatori, kur një furnizim i tillë përfshin kërkesë për pagesë.
- Në rastin e furnizimit të paporositur, konsumatori është i lirë nga kushti për çdo lloj pagese dhe nga detyrimi për të marrë çfarëdo veprimi, përfshirë edhe kthimin mbrapsht të mallit. Mungesa e përgjigjes nga konsumatori nuk nënkupton miratimin.
- Përdorimi nga tregtari i mjeteve të mëposhtme të komunikimit në largësi kërkon pëlqimin paraprak të konsumatorit:
- telefoni;
- faksi;
- posta elektronike.
- Perkufizime
- “Mjet i qëndrueshëm” është çdo mjet, i cili i mundëson konsumatorit ruajtjen e informacionit të drejtuar personalisht atij, në mënyrë që të lejojë referimin për qëllime informimi, në të ardhmen, për një periudhë kohe të përshtatshme, dhe që lejon riprodhimin e pandryshuar të informacionit të ruajtur.
- “Kontratë në largësi” është çdo kontratë e lidhur ndërmjet tregtarit dhe konsumatorit, sipas një skeme të organizuar shitjesh ose shërbimesh në largësi, pa praninë e njëkohshme fizike të tregtarit dhe të konsumatorit, me përdorimin ekskluziv të një apo më shumë mjeteve të komunikimit në largësi deri në çastin e lidhjes së kontratës, përfshirë dhe këtë çast.
- “Kontratë jashtë qendrave të tregtimit” është çdo kontratë ndërmjet tregtarit dhe konsumatorit:
- a) e lidhur në praninë e njëkohshme fizike të tregtarit dhe konsumatorit, në një vend që nuk është qendra e tregtimit të tregtarit;
- b) për të cilën është bërë një ofertë nga konsumatori, në të njëjtat rrethana si ato të përmendura në shkronjën “a”;
- c) e lidhur në qendrën e tregtimit të tregtarit ose me anë të një mjeti komunikimi në largësi, menjëherë pasi konsumatori është adresuar personalisht dhe individualisht në një vend, i cili nuk është qendra e tregtimit të tregtarit, në praninë e njëkohshme fizike të tregtarit dhe të konsumatorit; ose
ç) e lidhur gjatë një ekskursioni të organizuar nga tregtari, me qëllim apo me pasojë promovimin dhe shitjen e mallrave apo shërbimeve të konsumatorit.
SHTOJCA I
Formulari model i heqjes dorë nga kontrata
(plotësojeni dhe dërgojeni këtë formular vetëm nëse dëshironi të tërhiqeni nga kontrata)
- Drejtuar [këtu emri i tregtarit, adresa gjeografike dhe numri i tij i faksit dhe adresa e postës elektronike, sipas rastit, duhet të vendosen nga tregtari]:
- Unë/Ne(*) me anë të këtij formulari njoftoj/më(*), që Unë/Ne(*) tërhiqem/i(*) nga kontrata ime/jonë(*) e shitjes së mallrave të mëposhtme/ për ofrimin e shërbimit të mëposhtëm(*),
- Porositur në(*)/marrë në(*),
- Emri i konsumatorit/konsumatorëve,
- Adresa e konsumatorit/konsumatorëve,
- Firma e konsumatorit/konsumatorëve (vetëm nëse ky formular njoftohet me letër),
- Data
_________________
[1] Rregullat janë dispozitat, si pjesë e Ligjit nr. 9902, datë 17.04.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i ndryshuar