Lëvizja e konsumatorit shënon çdo vit 15 Marsin, Ditën Botërore të të Drejtave të Konsumatorit, si një mjet për të rritur ndërgjegjësimin global rreth të drejtave të konsumatorit. Celebrimi i kësaj ditës është një mundësi për të kërkuar që të drejtat e të gjithë konsumatorëve të respektohen e të mbrohen, si dhe të merren masa kundër abuzimeve në treg apo që shkelin këto të drejta.

Në datën 15 mars 2019, Qendra “Konsumatori shqiptar”, organizoi aktivitetin me temë “Konsumatori shqiptar dhe roli i institucioneve”, në kuadër të projektit “Shtëpia e konsumatorit – 2018″ dhe me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Ky aktivitet solli së bashku në një tryezë të gjithë aktorët e përfshirë në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, si institucionet shtetërore me funksione politikëbërëse, organizatat e konsumatorëve, tregtarë dhe vetë konsumatorë, për të diskutuar në lidhje me rolin, veprimtarinë, të drejtat dhe sfidat në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.

Në takim pati përfaqësim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë Tiranë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Qendra “Konsumatori shqiptar”, përfaqësues të projektit GIZ, që ka mbështetur në vite çështjet e konsumatorit, projektit “Mbështetje për standardet për sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe fitosanitare në Shqipëri” dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Nga të pranishmit u bënë prezantime dhe u zhvilluan diskutime në lidhje me kontributet përkatëse në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, për politikat në këtë fushë, sigurinë e produkteve ushqimore dhe atyre jo ushqimore, rolin e pushtetit lokal, sfidat e shoqërisë civile, si dhe mbështetja e dhënë nga donatoret.

Përfaqësuesja nga Drejtoria e Politikave të Zhvillimit Ekonomik, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë MFE, u përqendrua në arritjet dhe sfidat e reja në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, duke theksuar disa arritje konkrete, si: miratimi i Ligjit nr. 71/2018 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9902, datë 17.4.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorit”, i ndryshuar; zbatimi i legjislacionit nga Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve (KMK); trajtimi i ankesave të konsumatorëve; bashkëpunimi me pushtetin lokal dhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve; si dhe sfidat në drejtim të: plotësimit të legjislacionit për pushtetin lokal dhe me të gjitha strukturat për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve (ZAM); funksionimi me efektivitet të KMK në mbrojtje te interesit të përgjithshëm publik dhe shqyrtimit të ankesave individuale të konsumatorëve, si dhe bashkëpunimi me shoqatat e konsumatorëve, shoqëri civile apo pale të tjera në drejtim të ndërgjegjësimit të konsumatorëve

Qendra “Konsumatori shqiptar”, prezantoi edhe Gjetjet e Anketimit mbi perceptimin e qytetarëve mbi aspektet e çështjeve të konsumatorit, nivelin e tyre të informimit për të drejtat e tyre dhe ankesat që ata kanë dërguar.